Poezi per Shqiperine

SHQIPËRIA IME
Vëndi im! Në zëmrë time thahesh e mbin i gjelbër e i ri,
E unë mbetem tokë pjellore
Për dashurinë e urrejtjen,virtutet e veset e tua,
Por malli u bë erë e kërkon të kthehet atje, tek ti,
Ndaj pritmë me ajër e dritë e ngrohtësi dhe mua.

Ai s’e di se barërat që u kujdesa me përkushtim
Janë tharë, e barërat e rinj s’më njohin më asnjëçikë,
E atje jam i papunë,i pabukë,anonim,
Në punë janë vetëm ata që meren me politikë!

Po malli do të kthehet, t’i marrë erë tokës
Si fëmija që s’jeton dot pa erën e nënës së vet,
Pa prehërin e saj,pa ia përkëdhelur fytyrën
Dhe pse e rrudhur,e plakur nga hallet, është tok’ e shkretë.

…Ai s’e di, se shokët atje u ngjajnë kuajve të bukur e fisnikë,
Që duan t’i kashaisësh me kujdes e nge,
E t’ua krehësh bishtin duke ua përkëdhelur me kashai
E thënë:-Oh,sa bisht të bukur që ke!

Por po t’u kërkosh të bëjnë një nder të thonë:
-S’kam kohë të bëhem shërbëtor i një poeti!
Dhe vrapojnë pas thesit të tagjisë si gjithmonë,
E bëhen shërbëtorë të një shteti…!

Po ata që tërhoqën zvarrë diktatorin e vdekur,
Përgjërohen për një deftesë, a dekoratë
Si ato që jepte diktatori kur qe gjallë dhe i hekurt,
Një lavdëratë,a qytetar nderi i x qyteti shkërdhatë!

Ka të tjerë që shkojnë më tej në absurditet,
Kërkojnë të bëhen të pavdekshëm,perëndi,
Megjithse janë thjesh qytetar,shkrimtarë a poet,
Duan patjetër të jenë qiellor si zoti, si ai,

Po malli do të kthehet… dhe pse vëndi im
I ngjan një molle të kuqe, të bukur
Me goxha krimb brënda që i ha tulin,shpirtin,
Dhe në të i qetë qëndron i strukur…!

Dhe pse cmira,zilia e keqja është futur tek ne
Si në trup e shpirtë gjarpëri,
E kafshon pas shpinës me dhëmbët plot hellm
E pa të helmuar si del inati,

E njerëzit u ngjajnë deteve,
Kanë krijuar kufi,
Nuk mund të bashkohen me ujërat e njëri-tjetrit,
Se janë në dy të ndryshme parti!

Mbi gjëmbat e tua e atë pak lumturi
Do vij ta shpoj e ta mbush trupin, shpirtin,
Në kërkim të një rruge për të nesërmen,
E me muret e diellit tënd të bëj varrin tim.

Vëndi im!
Në zemrë time thahesh e mbin,i gjelbër e i ri,
E unë mbetem tokë pjellore në përkushtim,
Për dashurinë e urrejtjen,virtutet e veset e tua,
Por malli u bë erë e kërkon të kthehet atje, tek ti,
Ndaj falmë ngrohtësi,ajër e dritë dhe mua.

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *