Referati i vepres Bageti e Bujqesi - Naim Frasheri

Poema "Bagëtia e bujqësi" u botua më 1886. Është një nga veprat më të bukura e më të frymëzuara jo vetëm të Naimit, por edhe të krejt letërsisë së Rilindjes. Askush para Naimit nuk i kishte kënduar dashurisë e mallit për atdhe, krenarisë kombëtare dhe bukurisë së natyrës shqiptare me një patos aq të zjarrtë e me një gjuhë poetike aq të ëmbël e të bukur. Me këtë poemë Naimi krijoi poezinë e madhe të Atdheut e të natyrës shqiptare. Kjo vepër jo vetëm u bë e dashur për
bashkatdhetarët, por krijoi një traditë të pasur edhe për poetët që erdhën më pas.
Siç e tregon edhe titulli, poema përbëhet nga dy pjesë. Në pjesën e parë flitet për punët e blegtorisë, për jetën dhe punën e bariut, kurse në pjesën e dytë për punët e bujkut. Megjithatë, kjo s'është aspak një vepër për këto fusha të jetës. Prej tyre poeti vetëm sa merr pikënisje për të shprehur ndjenjat e flakta patriotike. Në të vërtetë, vepra është një himn poetik i frymëzuar, kushtuar Atdheut, natyrës dhe njerëzve të tij. Poema hapet me një apostrofë madhështore, e cila me një qartësi të habitshme na sjell para syve bukuritë e natyrës shqiptare, larminë dhe ngjyrat e saj, një peizazh të pafund plot dritë e gjallëri. O malet e Shqipërisë e ju, o lisat e gjatë, fushat e gjera me lule q'u kam ndër mend dit `natë, ju, bregore bukuroshe, e ju, lumenjt' e kulluar, çuka, kodra, brinja, gërxhe dhe pyje të gjelbëruar, do të këndoj bagëtinë që mbani ju e ushqeni o vendëthit e bekuar ju mendjen ma dëfreni. Motivi i mallit për atdhe zë fill që në këto vargje dhe e përshkron gjithë poemën. Larg vendlindjes, larg maleve dhe fushave, larg netëve të magjishme dhe mëngjeseve plot zhurma jetësore, poeti ndien një mall zhuritës për çdo gjë shqiptare. Në atdhe gjithçka është e bukur, ndaj dhe dëshira për t'u kthyer është e papërmbajtur. Kjo dëshirë për të fluturuar drejt Shqipërisë është shprehur me mjete poetike nga më të ndjerat. Poeti dëshiron të ketë "vrapin e veriut… krahë pëllumbi…, nxitimin e lumit me valë". Me apostrofa plot drithërim ai i drejtohet "fluturës krahëshkruar" ose "dallëndyshes bukuroshe" që t'ia marrin zemrën e përmalluar e t'ia shpien në Shqipëri. Veçanërisht e goditur është similituda, e ndërtuar mbi bazën e përfytyrimeve popullore të marra nga jeta e bariut dhe e bujkut shqiptar: Kur dëgjon zëthin e s'ëmës qysh e lë qingji kopenë blegërinë dy a tri herë edhe ikën e merr dhenë, edhe në i prefshin udhën njëzet a tridhjetë vetë, e ta trembin ai s'kthehet, po shkon në mes si shigjetë. Ashtu dhe zemra ime, më lë këtu, tek jam, mua, vjen me vrap e me dëshirë aty, në viset e tua. Një tjetër motiv i fuqishëm, që e bën poemën të dashur e frymëzuese edhe për ne sot, është krenaria për Shqipërinë, krenaria për emrin shqiptar. Me dashurinë dhe krenarinë e flaktë atdhetare, Naimi shprehu një nga idetë më të rëndësishme të lëvizjes kombëtare. Ai synonte të ngjallte tek bashkatdhetarët ndërgjegjjen kombëtare, t'i bënte të vetëdijshëm se ishin bij të një vendi me vlera të gjithanshme, të një atdheu që priste shumë prej tyre. Zëri i poetit buçet: Ti Shqipëri, më ep nder, më ep emrin shqipëtar, zemrën ti ma gatove plot me dëshirë e me zjarr. Ishte e para herë në letërsinë tonë që një gjë e tillë shprehej kaq bukur, me kaq zjarr e përkushtim. Në këto dy vargje Naimi mishëron një ide të madhe e të përjetshme: nderin, dinjitetin njeriut ia jep Atdheu, balta e vendlindjes, e gatuar me gjak e djersë, me historinë e me traditat, me fisnikërinë, bujarinë e gjithë vlerat e tjera morale; lumturinë, gëzimin dhe kuptimin e jetës njeriu mund ta gjejë në atdhè, në vatrën e vet, mes njerëzve të vet. Këto vargje të pavdekshme patën një ndikim të jashtzakonshëm tek bashkatdhetarët, aq më tepër që shumë shqiptarë, të mësuar nëpër shkolla të huaja e të verbuar nga propogandat antishqiptare, e kishin për turp të pohonin kombësinë e tyre të vërtetë. Vargjet e Naimit i prekën në zemër, ua drejtuan sytë dhe shpirtin nga Atdheu, u kujtuan detyrën si bij të tij. Poema e Naimit është një vepër tipike romantike. Bota e pasur e ndjenjave, dëshira për t'u arratisur "nga brengat, nga thashethemet", nga rrëmuja e qytetit anadollak, krijon një gjendje emocionale të veçantë. Por romantizmi i Naimit është aktiv. Poeti nuk tërhiqet në gjirin e natyrës për të lënguar në vetmi e pikëllim. Përkundërazi duke u mrekulluar nga natyra e bukur shqiptare, nga jeta e thjeshtë dhe e ndershme në vendin e tij, nga fisnikëria e njerëzve të punës, ai ka dashur t'i nxisë shqiptarët ta duan Atdheun, të kthehen në vatrën e tyre dhe lumturinë ta gjejnë në punë. Motivi i punës mund të themi se shtrihet në gjithë poemën, e cila është kështu një himn për punën dhe për njerëzit e punës, për bujqit dhe barinjtë. Poeti tregon në skena të bukura e plot lëvizje veprimtarinë e përditshme të bariut, të stopanit që bën bulmet, të bujkut që vë qetë përpara menatë; madje, edhe shpendët, kafshët dhe kandrat janë në punë e në lëvizje të përhershme. Në këtë himnizim të njerëzve të thjeshtë e jo të përfaqësuesëve të klasave të larta parazitare, gjejmë edhe njëherë ndjenjat demokratike të Naimit. Jetën në atdhe Naimi e ka idealizuar, duke e paraqitur me ngjyrat më të bukura e me tone idilike. Ai nuk ka dashur t'i paraqesë plagët dhe kundërshtitë e mëdha të jetës në fshatin shqiptar të asaj kohe dhe kjo bëhet me qëllim, që t'ua bëjë sa më të dashur vendlindjen shqiptarëve. Megjithatë, aty-këtu depërton edhe ndonjë hollësi që tërthorazi flet për ato plagë: varri i një udhëtari të vdekur larg shtëpisë, një plakë e drobitur, një lypës. Mbi të gjitha plaga e madhe e robërisë, padituria, përçarjet, nuk i shpëtojnë nga sytë. Ai i prek tërthorazi në vargjet që mbyllin poemën, kur shpreh dëshirën që Shqipëria të hyjë në rrugën e mbarësisë. Tregomu dhe shqiptarët udhën e punës së mbarë, bashkomi, bëmi vëllezër edhe fjeshtë shqiptarë. Falmi, falmi Shqipërisë ditën e bardhë të lirisë, udhën e vëllazërisë, vahn e gjithë mirësisë. Nxirr të vërtetën në shesh, paskëtaj të mbretërojë, errësira të përndahet, gënjeshtra të pushojë. Vlerat artistike të poemës janë të gjithanshme, ndaj dhe idetë e saj janë aq të prekshme. Figuracioni është aq i pasur, i larmishëm e i vetvetishëm sa të krijon një ngazëllim të papërmbajtur. Apostrofat drejtuar natyrës shqiptare, enumeracionet e shumta që japin larminë e saj dhe të punëve, krahasimet dhe semilitudat e goditura, epitetet e thjeshta dhe metaforat e bëjnë atë një nga veprat më të frymëzuara të letërsisë sonë. Duke u nisur nga jeta baritore, nga loja e qengjave rreth mëmave të tyre, Naimi krijon dhe simbole shprehëse: fjala "mëmë" përsëritet aq shpesh, sa bëhet simbol, që përgjihtëson përkushtimin e poetit ndaj tokës mëmë, Shqipërisë. Në këtë vepër Naimi përdor një shqipe të kulluar dhe, mbi të gjitha, arrit të zbulojë me forcën e talentit poetik vlerat dhe mundësitë e mëdha shprehëse të gjuhës sonë. Ai e ngriti atë në rrafshin e gjuhës së poezisë së vërtetë, që mund të shprehte ndjenja nga më të hollat. Në poemë gjejmë një leksik shumë të pasur baritor e fshatarak, thirrorë e pasthirrma plot efekt, gjejmë prapashtesat përkëdhelëse zvogluese: -zë, -thë, -osh (e), që sjellin aq ngrohtësi: Vashë bukuroshe e bariut, që vjen me llërë përveshur, me zemër të dëfryer e me buzëzë të qeshur… në sythit tënd shoh gazë…, Për t'u dhënë jetë ideve e ndjenjave të zjarrta, Naimi krijoi një varg të ri në poezinë shqiptare, vargun 16-rrokësh. Vetëm ky varg i gjerë dhe i qetë mund të jepte atë tabllo madhështore të natyrës shqiptare dhe ndjenjat e përflakura të poetit, ndaj dhe mban emrin e tij, vargu naimjan. "Bagëti e bujqësia" është poemë liriko-epike, boshtin e së cilës e formon lirizmi, shprehja e mendimeve dhe e ndjenjave që i vlojnënë shpirt poetit. Bota romantike e Naimit përmblidhet në ekzaltimin nga bukuritë e natyrës shqiptaree të jetës baritore e fshatarake, në dashurinë dhe krenarinë për kombin, në optimizmin dhe ngazëllimin për ditën e bardhë të lirisë. Poema mbetet një nga faqet më të bukura të poezisë së Rilindjes, me ndikim të fuqishëm edhe në ditët tona.